Lushaku-Sadriu: Katër ditë para fillimit të mësimit, 200 mijë nxënës s’e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për vonesat në sigurimin e teksteve shkollore, pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.

Lushaku-Sadriu ka thënë se rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9 ende nuk e dinë se kur do t’i kenë tekstet shkollore, ndërsa prindërit, sipas saj, presin subvencionet për blerjen e librave.

Përmes një postimi në Facebook, deputetja e LDK-së ka deklaruar se edhe ky vit shkollor po nis me vonesa dhe pasiguri, duke ia atribuar përgjegjësinë Ministrisë së Arsimit.

“Edhe një vit shkollor po fillon me rrëmujë, vonesa, ankth të prindërve, për shkak të papërgjegjësisë së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm katër ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore. Prindërit presin subvencionet, libraritë presin prindërit, ndërsa fëmijët rrezikojnë të ulen përsëri në bankat shkollore pa libra. E Ministria e arsimit, sot, më 27 gusht, ende nuk e ka caktuar as shumën e subvencionimit për librat!”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.

Ajo ka kritikuar gjithashtu mënyrën e organizimit të procesit, duke thënë se Ministria ka pasur kohë të mjaftueshme për përgatitjet.

“Data e fillimit të vitit shkollor dihej botërisht. Ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur, jo ta lë organizimin, kur zilja e parë është gati të bjerë. Kjo qasje është poshtëruese ndaj nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve dhe dëshmi e një Ministrie që nuk arrin ta organizojë me kohë as procesin më elementar të fillimit të vitit shkollor. Tash e pesë vite e njëjta skenë: vendime në minutën e fundit, prindër që vrapojnë pas librave, vonesa në furnizim dhe nxënës që e fillojnë shkollën pa kushtet më bazike për mësim. Fëmijët dhe familjet tona po e paguajnë çmimin e paaftësisë së një të ashtuquajture Qeveri në detyrë, që veç në detyrë nuk është!”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.