Lutfi Haziri tregon nëse do të kandidojë përsëri për Kryetar të Gjilanit
Zgjedhjet Lokale pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti. Tashmë, disa parti politike kanë zyrtarizuar edhe kandidatët e tyre për Komunat përkatëse.
Por, një gjë e tillë ende s’ka ndodhur në degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Gjilan, ku për momentin kjo komunë udhëhiqet nga nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se në këtë muaj do të zyrtarizohen kandidaturat për të parin e këtij qyteti.
Haziri tha se ende nuk është vendosur se kush do t’i prijë listës për Kryetar të Gjilanit nga LDK-ja, pasi siç thotë ai, janë në një debat të brendshëm.
“Në këtë muaj zbardhen kandidaturat për Kryetar të Komunës, duke përfshirë edhe Gjilanin. Ende s’kemi vendosur, pasi jemi në debat të brendshëm”, tha shkurt Haziri për Reporteri.net.
Në këtë komunë ka pasur zëra se nëse nuk kandidon përsëri kryetari aktual në këto zgjedhje lokale, atëherë vendin e tij pritet që ta zë nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli.

