Mali i Zi miraton pushimin menstrual: Gratë me diagnoza gjinekologjike përfitojnë dy ditë leje të paguar në muaj

Mali i Zi ka bërë një ndryshim të ri në legjislacionin shëndetësor, duke u dhënë grave me probleme të diagnostikuara gjinekologjike të drejtën për pushim të paguar gjatë periudhës së menstruacioneve të dhimbshme.

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, të cilat parashohin që gratë e diagnostikuara me dismenorre sekondare të mund të marrin deri në dy ditë pushim të paguar çdo muaj.

Kjo masë vlen për rastet kur dhimbjet menstruale shkaktohen nga sëmundje të dokumentuara, si endometrioza, fibroidet, polipet, inflamacionet dhe gjendje të tjera gjinekologjike.

Iniciativa për ndryshimin e ligjit u propozua nga deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq, ndërsa më herët mori mbështetje edhe nga komisionet parlamentare përkatëse.

Sipas arsyetimit të ligjit, qëllimi është mbrojtja e shëndetit të grave, reduktimi i paragjykimeve në vendin e punës dhe krijimi i një balance mes detyrimeve profesionale dhe nevojave shëndetësore.

Me këtë vendim, Mali i Zi bëhet një nga vendet e pakta në Evropë që njeh ligjërisht një formë të pushimit menstrual për gra me probleme të caktuara shëndetësore.

Spanja është aktualisht vendi i parë evropian që ka futur një skemë të tillë, ndërsa masa të ngjashme janë diskutuar edhe në vende të tjera si Italia dhe Holanda.