Mazreku: Regjistrimi i automjeteve nuk duhet të kushtëzohet me taksa shtesë për qytetarët

Për shkak të kushtëzimit për të regjistruar veturat, qytetarët e Kosovës janë të detyruar të paguajnë mbi 15 miliona euro.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, bëri me dije se kanë kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshëm dhe Ministria e Infrastrukurës të ndryshohet Ligji i Automjeteve.

“Ne kërkojmë që gjobat mos të jenë kusht për regjistrim të automjeteve dhe të mos jetë kërkesë taksa komunale, në nuk bëjmë thirrje që këto të mos paguhen, por jo të kushtëzohen me regjistrimin e automjeteve”, tha ai.

Vitin e kaluar Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, ka bërë ankesë tek Avokati i Popullit, për këtë çështje.

“Ankesa jonë është pranuar që rasti të hetohet dhe besoj që shume shpejt Avokati i Popullit do të dalë me rekomandim që taksa komunale dhe gjobat të mos jenë kusht për regjistrim të automjete në Kosovë, pasi që mund të llogaritet si kundërshtetuese”, tha ai.

Një çështje tjetër që po i dëmton financiarisht qytetarët e Kosovës ka të bëj me shitblerjet e veturave e që për ndërrim pronësie janë të detyruar të paguajnë për to.

“P.sh nëse dikush ndërron pronësinë e automjeteve dhe ke edhe gjashtë muajë regjistrim, prap duhet të paguajnë të gjitha taksat nga fillimi. Brenda një viti deri në 100 mijë automjete bartin pronësinë nga një pronar në tjetrin, përveç pjesës së sigurimit që kompanitë e sigurimeve ia kthejnë, taksat tjera duhet te paguhen. Shuma totale shkon deri në 15 milionë euro që shkon në dëm të qytetareve”, tha ai.

Mazreku tha në RTK se para pandemisë numri i veturave që kanë qarkulluar pa regjistrim ka qenë 148 mijë, kjo sipas të dhënave nga MPB por këto vetura janë ndër vite dhe jo vetëm në dy vitet e fundit.

Sipas tij, numri i veturave që kanë qarkulluar pa regjistrim gjatë pandemisë është rritur si pasojë e mbylljes së Qendrës së Regjistrimit, kjo pasi vetëm gjatë muajit mars dhe prill janë 52 mijë qytetarët që nuk kanë mundur të bëjnë regjistrimin e veturave të tyre.

Mazreku tha se numri i veturave të pa regjistruara shkon deri në 30% dhe se ata kanë kërkuar nga MPB që të nxirren udhëzime të ndryshme që në sistem të figurojnë vetëm dy vitet e fundit për shkak se edhe ligji parasheh që çdo veturë e cila është dy vite e më shumë e pa regjistruar ajo llogaritet teknikisht jo në rregull me dal në trafik.

Mazreku tha se gjatë pandemisë numri i veturave të pa regjistruara ka mundur të shkojë deri në 200 mijë mirëpo ende nuk janë të dhëna zyrtare sepse me hapjen e Qendrave të Regjistrimit një pjesë e madhe e tyre vetëm kanë vazhduar ti regjistrojnë veturat e tyre sepse edhe janë parë pritjet e gjata të qytarëve për t’i kryer këto shërbime.  Sipas tij ka mundësi që të regjistrohet edhe veturat përmes formës online.

“Sikur, ne edhe komunat mund të bëjmë më shumë për vetëdijësim. Qendrat e regjistrimit e kanë formën online të regjistrimit, por qytetarët duhet të vetëdijësohen më shumë për këtë formë”, tha ai.

Mazreku bëri me dije se në vitin 2018, janë lëshuar 14 mijë gjoba për automjete që nuk kanë qenë të regjistruara ku dënimi eshte 150 euro per mosregjistrim. Ai bëri me dije se janë paguar dëme nga kompanitë e sigurimeve në vlerë mbi 44 milionë euro nga viti 2000 deri në fund të vitit 2019.

Ulja e numrit të veturave të paregjistruar, hap rrugën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

“Ne si Kosovë, duhet të punojmë në këtë drejtim, si shtet duhet ta ulim numrin e veturave të paregjistruara, duhet t’i kryejmë disa obligime të brendshme, nëse dojmë të anëtarësohemi në disa organizata ndërkombëtare”, tha ai.