Mbërrin dërgesa e dytë e UNICEF-it me furnizime kundër COVID-19

Sot, ka mbërritur në Prishtinë dërgesa e dytë me furnizime e UNICEF-it që përfshin 1.5 ton pajisje profesionale mbrojtëse (8,900 mantele kirurgjike) për ta mbështetur reagimin e sistemit shëndetësor në Kosovë ndaj pandemisë së koronavirusit.

Që nga fillimi i përhapjes së koronavirusit, UNICEF-i ka ofruar 36,200 dorëza, 33,600 maska kirurgjike, 2,700 maska me mbushje të dendur, 1000 kominoshe për mbrojtje, 17,860 mantele, 2,800 përparëse mbrojtëse si dhe 81 termometer infra red klinik si mbështetje për reagimin e Kosovës ndaj pandemisë.

Dhjetë për qind e këtyre furnizimeve janë dorëzuar në Spitalin në Mitrovicën e Veriut dhe në atë në Graçanicë.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin tha se “Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe komunitetet në tërë Kosovën për t’i kapërcyer sfidat që janë paraqitur si pasojë e COVID-19”.

Ministria e Shëndetësisë e ka mirëpritur dhe vlerësuar kontributin e UNICEF-it në mbështetje të zbatimit të Planit kundër virusit korona Covid-19 në Kosovë.