Mbi 3 kilometra kolona në Vërmicë, Shqipëria po regjistron hyrjet e udhëtarëve

Qendra për Menaxhimin Kufitar ka njoftuar se janë krijuar kolona të gjata automjetesh në dalje të Kosovës, në drejtim të Shqipërisë, për shkak të procedurave të regjistrimit të hyrjeve nga autoritetet shqiptare.

Sipas njoftimit, kolonat kanë arritur deri në 3.5 kilometra, ndërsa situata është evidentuar që nga ora 04:00 e mëngjesit.

“Ju informojmë se sot nga ora 04:00 e në vazhdim, në dalje të Republikës së Kosovës janë krijuar kolona të gjata, afërsisht 3.5 kilometra, pasi autoritetet shqiptare janë duke regjistruar hyrjen e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Qendrës për Menaxhimin Kufitar.

Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që, për informacione shtesë lidhur me gjendjen në pikat kufitare, të kontaktojnë Qendrën për Menaxhimin Kufitar në numrat e publikuar zyrtarisht.

Pritjet pritet të vazhdojnë derisa të normalizohet fluksi i automjeteve dhe të përshpejtohen procedurat e kalimit në kufi.