Kush ishin kllonferët e parë të Gjilanit që u morën me zejen e teneqepunuesit

Teneqepunuesit – Kjo zeje është ndër më të rëndësishmet në përpunimin e metaleve dikur dhe në kohë më të reja, e njohur në Kosovë aty nga fundi i shekullit XIX.

Edhe në Gjilan atëbotë kishte punëtori teneqepunuese për të cilat flitet në literaturën e periudhës pas luftërave ballkanike.

Thuhet se në Gjilan vepronin 7 dyqane zejtare të tilla të nacionaliteteve të ndryshme.

Për teneqepunuesit më të hershëm nuk kemi njohuri, por bazuar në regjistrat e Esnafit-Odës Zejtare të Rrethit të Gjilanit, për periudhën midis dy luftërave botërore, nga viti 1921 deri më 1940, hasim të shënuar në regjistra 10 dyqane të kësaj zeje, nga të cilët 5 dyqane me pronarë serbë dhe 5 me pronarë shqiptarë, si dhe një dyqan në Viti.

Në listën e esnafit si mjeshtër me dyqanet e tyre të teneqepunuesit në Gjilan në këtë kohë ishin: Sherif Muharremi, Rexhep Mehmeti, Filip Jovanoviq, Todor Filipoviq, Stevan Jovanoviq, Borisllav J. Petroviq, Stojan Kostiq, Ejup Jonuzi, Abedin Ahmetit dhe Ymer Salihu.

Në regjistrat e Odës Zejtare të Rrethit të Gjilanit, të periudhës 1945-1963, me leje pune ishin 19 dyqane zejtare teneqepunuese, kryesisht në Qendrën Zejtare, nën Xhaminë e Madhe.

Këta mjeshtër ishin: Ibrahim Rexhepi, Qamil S. Shefkiu, Enver N. Selmani, Mehmet R. Mehmeti-Doda, Rexhep Mehmeti, Vehbi Mehmeti, Vehbiu për një kohë punoi së bashku me Farush Okllapin, Vehbi Mahmuti-Syvrigjani, Vehbi R. Selimi-Poneshi, Sadedin Shehu, Hasan M. Dauti, Ibrahim R. Mehmeti, Osmon H. Sylejmani, Abdylaziz Jakupi, Farush Okllapi, Nexhat Pajaziti, Shefik Salihu-Selmani, Shefik Dauti, Shaban Biqku, Rahim Ismajli, Nuhi Selmani, Abdyrrahman Sylejmani, Musa Hajrullahi (i biri i M. Idrisit).

Në hapësirën e Qendrës Zejtare dyqanet e tyre i kishin edhe serbët: Sllobodan Apostoloviq, Vojisllav S. Tomiq, K. Periq.

Kurse në rrugët tjera të qytetit, si teneqexhi punonin edhe mjeshtërit Borisllav J. Petroviq, Dragolub Zh. Serafimoviq, Boban Bushatoviq Todor Gjinqa dhe Stanko Svilanoviq.

Mirëpo siç shihet në të dhënat e Odës Zejtare të Kosovës, për vitin 1972, në Gjilan, kishte 12 dyqane teneqepunuese, gjë që nuk ishte pasojë e rënies së produktivitetit të kësaj zeje, ashtu si disa të tjerave, por ishte pasojë e shpërnguljes së 7 familjeve të zejtarëve për Turqi./Faik Ziyazade

(Shënim: Më gjerësisht rreth zejës së teneqepunuesëve në librin “Zejtaria e Gjilanit”)