Shënohet 27-vjetori i rënies së dëshmorit, Nezir Shurdhani

Është shënuar sot në Gjilan përvjetori i rënies së dëshmorit të kombit, Nezir Shurdhani.

Kurora lulesh janë vënë te vendi i rënies, ish-fabrika e Çelikut, për të vazhduar me homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve, aty ku pushon trupi i tij dhe i qindra dëshmorëve dhe heronjve të kombit.

Në këtë 27-vjetor, pos familjes, e kanë nderuar veprën e dëshmorit edhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, përkatësisht Avdyl Bajrami, në emër të Shtabit të Zonës Operative të Karadakut, Rashit Ymeri – kryetar i Shoqatës ëë Familjeve të Dëshmorëve e Xhevdet Mehmeti nga Shoqata e Veteranëve dhe Invalidëve të UÇK-së.

Në emër të familjes ka folur vëllai i dëshmorit Nezir Shurdhani, Fatmiri, i cili e ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për nderimin që ia kanë bërë.

“Për neve 21 qershori ka qenë ditë e gëzueshme sepse vëllai ynë, Neziri, në këtë datë ka ardhur në punë duke  gëzuar lirisë dhe në mbrojtje të institucioneve publike. Por, ai gëzim ka qenë shumë i shkurtër sepse në ora 02:20 pas mesnate, janë sulmuar nga paramilitarët serbë rojet e ndërmarrjes Çeliku, janë plagosur tre prej tyre, ndërsa vëllai ynë në tërheqje e sipër të shokut të tij, mbeti i vrarë”, ka deklaruar Shurdhani.

Nezir Shurdhani u vra nga falangat e fundit të okupatorit në mbrojtje të institucioneve publike, një javë pas hyrjes së ushtarëve të UÇK-së dhe 11 ditë pas hyrjes së forcave të NATO-s.