Dilemë: Me dal kah Guri i Zi, apo kah Kodra e Madhe?

Sylë E. Shabani

I thoshin te ,,Reka e Ajvazit”, në skajin verior të lagjes. Nuk ishte ndonjë lum as i gjallë e as i vdekur. Ma shumë ishte një përroskë e vogël që shkonte ditë e natë.

Do ta kisha harruar moti ,,Rekën e Ajvazit” nëse aty mos të ndaheshin dy rrugë.

Njëra rrugë shkonte kah Lisi i Çobaneve, për me dal te Kodra e Madhe, te kufiri i rrëzuar i Perandorisë, ku ende shiheshin muret e karakollit edhe pse mbi to kishte mbirë bari dhe kullosnin delet qetësisht.

Tjetra rrugë shkonte kah Livadhi i Brahimit dhe të qonte te Guri i zi, ku të prisnin ca gurë të frikshëm që qëndronin përjetësisht në shi, të rrethuar me lisa të gjatë, që dridheshin prej erës duke lëshuar zëra misterioz, që gjithmonë ma kujtonin përkohshmërinë e kësaj bote.

Besoj se te Reka e Ajvazit, në veri të lagjes në Zarbincë, ende dilema nuk është zgjidhur:

Me dal kah Guri i Zi, apo kah Kodra e Madhe, me e ngarkuar qerren e drurit me shpresa të djegura.

Askush mos qoftë aty, hija e axhës Ferat lahet në përroskë, pa u trembur prej stinëve që shkojnë e vijnë.

E në pranverë, mallëngjyeshëm i bie fyellit, të ndërtuar prej shtogut te bojlia./Mediafokus/