Me insistimin e Kadriut, Kuvendi ridiskutoi për mungesën e ujit

Mimoza Kadriu, anëtare e subjektit Nisma në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka insistuar që Kuvendi Komunal të diskutojë sot gjithqysh për problemin e ujit të pijes, për shkak të gjendjes së vështirë në të cilën gjendet qyteti i Gjilanit prej gjysmës së dytë të vitit e këndej, shkaku i mungesës së reshjeve.

Me kërkesën e saj, Kuvendi ka ridiskutuar për gjendjen e furnizimit me ujë, që realisht vlerësohet e rënduar, raporton MediaFokus.info

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës e ka pranuar se gjendja nuk është e mirë, për çka Komuna është duke punuar shumë në një zgjidhje emergjente, meqë një zgjidhje fatlume nuk mund të bëhet shpejt.

“Kemi folur në seancën e kaluar për këtë problem, jemi duke u marrë çdo ditë me këtë problem, flasim edhe tani sa të doni, por zgjidhje afatgjatë nuk mund të bëjmë përnjëherë”, ka thënë Ismajli.

Ai ka sqaruar se Banka Botërore i ka ndarë 10 milionë euro për këtë qëllim dhe se vitin tjetër pritet të fillojë mirë e mbarë zgjidhja e problemit të ujit të pijes, të paktën për 50 vitet e ardhshme.

Mimoza Kadriu u shpreh e brengosur për faktin se projekti i Bankës Botërore mund të humbet për shkak të vonesave në formimin e qeverisë qendrore, e cila, siç tha ajo, duhet ta nënshkruaj këtë marrëveshje me Bankën Botërore.

Nënkryetari Ismajli e përjashtoi mundësinë e humbjes së donacionit nga Banka Botërore./MediaFokus/