Vjehrri dhe nusja përcillen sot për në banesën e fundit, sherri ndodhi shkaku i banesës ku jetonin

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku një 61-vjeçar masakroi me thikë bashkëjetuesen e djalit të tij dhe më pas u vetëvra, viktimat e krimit të dyfishtë do të përcillen për në banesën e fundit.

Gazeta Shqiptare mëson se Xhavair Hoxha, do të përcillet për në banesën e fundit në fshatin e tij Vidhishtë, ndërsa 30-vjeçarja Merushe Hazizi do të prehët në varrezat pranë familjes së saj.

30-vjeçarja ishte nënë e 3 fëmijëve nga martesa e parë dhe fëmijët jetonin me ish-bashkëshortin, teksa ajo kishte 3 vite që bashkëjetonte me shtetasin Fatjon Hoxha.

Pas konflikteve të vazhdueshme për shkak të mospranimit të kësaj lidhjeje nga 61-vjeçari, ka bërë që ai të qëllojë për vdekje me thikë të renë dhe më pas të vetëvaret në pemë në tokën e tij.

Detajet tragjike nga krimi makabër i bëri të ditura bashkëshortja e autorit, e cila teksa lante pellgun me gjak në korridorin e banesës, tregoi edhe sherret mes vjehrrit dhe nuses.

Ajo tha se ata të dy ziheshin për faktin se kujt i takonte banesa.

Pas shumë sherreve dhe debateve, duket se dje konflikti është përshkallëzuar akoma më shumë, duke bërë që vjehrri të merrte thikën dhe të masakronte nusen e djalit, duke e lënë atë të vdekur në vend.

Pas krimit, ai doli nga banesa pa i thënë gjë njeriu dhe iku me vrap në arë, ndërsa atje kreu dhe aktin e rëndë të vetëvrasjes.