Më lirë me aeroplan se sa me transport publik
Linja ajrore buxhetore EasyJet ka nxjerrë një sërë reklamash në Cyrih për të promovuar fluturimet e reja me tarifa të ulëta nga Cyrihu në Catania, Lisbonë dhe Porto, përcjell albinfo.ch.
Reklamat theksojnë se çmimi i biletave në këto destinacione është më i lirë se kostoja e transportit publik në qytetin më të madh të Zvicrës.
Ndoshta nuk do të kishte asgjë të çuditshme në lidhje me këto reklama, përveç se ato shfaqen në… tramvaje të operuara nga Autoriteti i Transportit i Cyrihut (VBZ).
Ndërsa disa deputetë po vënë në dyshim vendosjen e këtyre reklamave, zëdhënësi i VBZ tha se kompania nuk shihte asnjë arsye për t’i refuzuar ato pasi “ne jemi të hapur për të gjithë klientët e reklamave”.
Përveç kësaj, përmbajtja e reklamës është e vërtetë: një biletë mujore për transportin publik në Cyrih kushton 85 franga, ndërsa fluturimet e EasyJet për në destinacionet e reja kushtojnë më pak.

