“Me Serbinë duhet të negociojmë ashtu siç negocioi Adem Jashari”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të hënën do të takohet për herë të dytë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një raund të ri të dialogut që ka rinisur më 15 qershor. Fuqitë ndërkombëtare u kërkojnë të dyve të negociojnë për ta arritur një kompromis që do të sillte marrëveshjen finale, e cila synohet të jetë zgjidhja përfundimtare për problemet mes dy vendeve.

Vite më parë, kur ditën e natën mblidhte aktivistë rrugëve të Prishtinës për t’i kundërshtuar negociatat me Serbinë, opozitari shumë i zëshëm, Albin Kurti u thoshte atyre se me Beogradin duhet të negociohet ashtu siç kishte bërë Adem Jashari në luftë, shkruan Express.

“A e dini qysh ka negociu Adem Jashari me Serbinë?”, pyeste Kurti, ndërsa një aktivist, i cili donte ta dëgjonte më të plotë idenë e Kurtit, e pyeste “Qysh?”.

“Eh qajo është puna”, i ishte përgjigjur Kurti atij në këtë rast, duke lënë të nënkuptohet krejt qartë për çfarë “negociatash” e kishte fjalën.

Themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe vetë emri që iu vendos kësaj lëvizjeje politike të Albin Kurtit, karakterizohej me qëllimin e vazhdueshëm që Kosova të mos ulej asnjëherë për të diskutuar me palën serbe.

Grafitet “Jo Negociata – Vetëvendosje!”, që edhe sot qëndrojnë në gjithëfarë objektesh nëpër Kosovë, ishin fushata më e gjatë që LVV-ja e kishte bërë për t’i kundërshtuar bisedimet me Serbinë.

Por në ditën kur u zgjodh kryeministër, Albin Kurti e kishte pranuar se nuk mund të bëhet progres në asnjë fushë tjetër nëse nuk ka progres në dialog. Para kësaj seance, ai nuk e konsideronte prioritet të tij këtë çështje. Ai beson se qytetarët e kanë zgjedhur t’u marrë më shumë me çështjet tjera, ndër të cilat përmend menaxhimin e pandemisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Në ekspozenë e tij të shpalosur para deputetëve, Kurti kishte thënë se nuk mund dhe nuk do të bëhet asnjë kompromis me Serbinë, ndonëse një muaj para asaj dite, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një letër urimi për Serbinë, theksonte marrëveshjen gjithpërfshirëse, duke përmendur një kompromis që do të kërkohet nga të dy palët për arritjen e njohjes reciproke.

Deklaratat e Kurtit pas zgjedhjeve se dialogu s’është prioriteti i tij i kishin shqetësuar autoritetet në Berlin, Paris e Washington, i cili është sponsori kryesor ndërkombëtar i Kosovës. Departamenti i Shtetit kishte thënë se duan ta inkurajojnë Qeverinë e re të Kosovës për t’i bërë negociatat me Serbinë prioritet në rrugën e njohjes ndërkombëtare.

Deri më tani, Kurti ka treguar jo pak neveri ndaj kompromiseve në negociatat me Beogradin. Megjithatë, atij ia rikujtojnë gjithnjë se këtë do t’i duhet ta bëjë.