Ka ndërruar jetë gazetari nga Anamorava Mustafa Spahiu

Ka ndërruar jetë në Shkup gazetari nga Anamorava, Mustafa Spahiu. Ai ka punuar së fundi në Radio Shkupi, Programi në gjuhën shqipe
Mustafa Spahiu, u lind me 5 prill 1948 në fshatin Muçivërcë të Anamoravës së Gjilanit, Republika e Kosovës. Rrjedh prej një familje zejtare-bujqësore të kamur e fisnike.
Katër klasë të shkollës fillore i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në fshatin e afërt Rogoçicë, të mesmen në Prishtinë. E kreu Akademinë pedagogjike – gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup. I ndoqi studimet në Fakultetin filologjik, katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe.
Vjershën e parë e botoi me 21 mars 1965 në “Flaka për fëmijët tanë” – Shkup. Tërë profesionin e gazetarit, publicistit e kaloi në Radio Shkupi – programet në gjuhën shqipe. Për 25 vjet me radhë e drejtoi me sukses të shkëlqyer emisionin më të dëgjuar për fëmijë “Lule më lule”. Mbi 14 vjet e drejtoi emisionin letrar të koduar “Tingulli i artë i fjalës”.
Ka marrë shumë shpërblime letrare e mirënjohje nga shumë institucione dhe asociacione të fëmijëve, në shkallë republike dhe jashtë Maqedonisë. Më vitin 2008, programi i Radio Shkupit në gjuhën shqipe ia akordoi mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore.