Mehmeti: Shërbyesit civilë po trajtohen në kategorinë e përkujdesjes sociale

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Arben Mehmeti, ka vlerësuar se me ligjin e ri të pagave, shërbyesit civilë komunalë trajtohen sikur në kategorinë që kanë nevojë për përkujdesje sociale, krahasuar me ata që punojnë në nivelin qendror, në pozita të njëjta.

Mehmeti, ndërkaq, nuk po e kupton heshtjen e sindikatave të shërbyesve civilë.

“Shërbyesit civilë komunalë janë të vetmit që në këtë kohë të grevave të paralajmëruara do të punojnë dhe ky është një element që ka shumë kuptimësi”, ka shkruar Mehmeti, i cili është edhe përfaqësues ligjor i Komunës së Gjilanit.

Ja statusi i plotë në profilin e tij në Facebook:

“Paralajmerimi për greva është një sinjal se ky ligj i pagave ka qenë diskriminues ngase ka mbrojtur interesat e disa grupeve të caktuara të zyrtarëve publikë që kanë afërsi me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, sa i përket ofrimit të shërbimeve.

Është për t’u habitur se nuk kemi pasur ndonjë zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore që është përkujdesur për dinjitetin e shërbyesve civil komunalë.

Ligji i pagave vetëm sa ka shkallëzuar këtë degradim edhe ma shumë dhe i ka trajtuar si zyrtarë më tepër me nevojë për perkujdesje sociale, e jo si zyrtarë që duhët të trajtohen si bazë e fortë e shoqërisë dhe shtetit.

Në këtë ligj, më të diskriminuarit janë zyrtarët e komunave të Kosovës, pavarësisht se kryejnë punë të njejta me ata të nivelit qendror. Ata janë degraduar dhe diskriminuar dhe ky ligj ka krijuar një lloj të kantonizimit, ku secili institucion ka krijuar ligje të veçanta për zyrtarë të tyre.

Por, si duket sindikatat që mbrojnë këtë interes të shërbyesve civil po heshtin dhe arsyen e heshtjes besoj se vetëm ata e sqarojnë.

Sidoqoftë, siç po shihet janë të vetmit shërbyesit civil komunalë që në këtë kohë të grevave të paralajmeruara do të punojnë dhe ky është një element që ka shumë kuptimësi!/MediaFokus/