Meliza Haradinaj, kryediplomatja e parë që zyrtarisht viziton Luginën e Preshevës
Ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj –Stublla, është bërë kryediplomatja e parë kosovare e cila ka vizituar zyrtarisht Luginën e Preshevës.
Në këtë vizitë ajo ka qenë e shoqëruar edhe nga Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, dhe të dy janë pritur nga Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, njofton Klan Kosova.

“Nder i veçantë të realizojmë vizitën e parë zyrtare të Qeverisë së Kosovës në Luginën e Preshevës në një delegacion të përbashkët me Ministrin e Drejtësisë, z.Selim Selimi i cili është Ministër i parë që vjen nga kjo anë.
Në pritjen e Kryetarit të Komunës të Preshevës, z. Shqipërim Arifi, mësuam nga afër për shqetësimet dhe sfidat e shqiptarëve këtu, dhe diskutuam rrugën tonë përpara për të adresuar këto shqetësime”, ka shkruar mes tjerash Haradinaj.
Ajo thekson që moskujdesi i qëllimshëm shëndetësor dhe human ndaj shqiptarëve të Luginës, nga Beogradi zyrtar duhet të ndalet, njofton Klan Kosova.
“Çregjistrimi diskriminues dhe selektiv dhe i qëllimshëm i shqiptarëve të Luginës nga regjistrat civil, si dhe moskujdesi shëndetësor dhe human i Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve të kësaj ane, duhet te ndalet.
Republika e Kosovës do të angazhohet që të adresojë këto tema në nivelet më të larta ndërkombëtare”.

