Zemaj reagon pas vendimit të Maqedonisë së Veriut për t’u kërkuar kosovarëve test për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të kërkohet test të COVID-19 për kosovarët që kalojnë kufirin.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zemaj ka thënë se përmes ambasadorit Gjergj Dedaj ka shprehur shqetësim për këtë veprim dhe se ka kërkuar që të evitohen këto barriera, raporton Express.

 

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që qytetarët e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës të paraqesin test PCR negativ nëse duan të hyjnë në vend, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Në seancën e 75-të të mbajtur sot, u miratua ndryshimi në vendimin për masat për parandalimin e futjes dhe përhapjes së koronavirusit, COVID-19, me të cilin qytetarëve të Republikës së Serbisë, Republikës së Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës në hyrje përmes një vendkalimi kufitar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do t’u kërkohet të paraqesin një certifikatë mjekësore me rezultat negativ të testit RT PCR SARS-CoV-2, të bërë 72 orë para hyrjes në territorin e vendit tonë, dhe të paraqesin një deklaratë të plotë me të dhëna personale në lidhje me vendin dhe periudhën e qëndrimit”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.