Zbulohet skandali i madh i manipulimit të votave nga radhët e AAK (Videoincizim)

Zbulohet skandali i madh i manipulimit të votave nga radhët e AAK. Meliza Haradinaj-Stublla, po rezulton se nuk i ka pasur votat e mjaftueshme për t’u bërë deputete.

Por, falë parave të bashkëshortit të saj, ajo ka arritur ta fitojë një vend në listën e AAK-së. Insajderi ka siguruar video dhe dëshmi se si, bashkëshorti i saj i ka blerë me 6 mijë euro katër komisionerë, të cilët i kanë dëmtuar dy kandidate tjera dhe e kanë favorizuar, Haradinaj-Stubllën. Kjo video dhe dëshmitë tjera tashmë janë në dorë të Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës.

Mesohet se priten arrestime.

Një video-incizim ka zbuluar bashkëshortin e kryediplomates kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, përfshirjen në një skandal të madh të manipulimit të votave.

Në këtë video, zbulohet se si afaristi Dardan Stublla, ka blerë me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ia kanë regjistruar Meliza Haradinajt-Stublla.

Arbër Krasniqi, njëri prej të përfshirëve në videoincizim dëshmon se grupi i komisionerëve ka pasur marrëveshje me Dardan Stubllën që këtë manipulim votash ta bëjnë për gjashtë mijë euro. Por, ata kanë marrë vetëm katër mijë.

I ndjerë i mashtruar, Krasniqi – njëri prej këtyre komisionerëve i ka rrëfyer familjarit të njërës prej kandidatëve të AAK-së, të dëmtuar nga kjo vjedhje të cilit i ka kërkuar falje.

I infiltruari në grup i cili e ka incizuar bisedën ka ofruar para rrejshëm shumë më shumë sesa Stublla, për të zbuluar të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë hedhë dyshime të mëdha se si ministrja e Jashtme dhe e Diasporës bëhet deputete pa i pasur votat e mjaftueshme.

Kësisoj, paratë dhe përfshirja e Dardan Stubllës kanë qenë faktori kyç që Meliza Haradinaj-Stublla figuron në mesin e tetë kandidatëve të parë të AAK-së pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Përfshirjen e Dardan Stubllës në manipulimin e rezultateve të kandidatëve të Aleancës për deputetë, e ka zbuluar një video-inicizim i Arbër Krasniqit, një komisioneri të AAK-së në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR).

Përgjimi ekskluziv, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, nxjerr në pah dëshminë e komisionerit Krasniqi që thotë se është paguar nga Dardan Stublla. Thotë se paratë i kishte pranuar me një qëllim të vetëm: manipulimin e votave në favor të kryediplomates në largim.