Meteorologu Rugova: Do të mbizotërojë mot tipik vjeshtor

Meteorologu Mendim Rugova, në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, ka analizuar motin për këtë javë dhe javët në vijim.

Rugova tha se gjatë kësaj periudhe do të mbizotërojë mot tipik vjeshtor, me luhatje të temperaturave kohë pas kohe.

“Pjesa e Dukagjinit mund të ketë temperatura që pritet të arrijnë deri në 22-24 gradë Celsius, si pasojë e erërave jugore. Temperaturat minimale nuk kanë ndryshuar gjatë ditës së sotme dhe pritet të mbeten të ngjashme edhe në ditët në vijim. Erërat do të jenë jugore dhe mund të jenë të forta, prandaj duhet të kenë kujdes, sidomos për objektet dhe infrastrukturën e dobët, të cilat mund të dëmtohen”, tha Rugova.

Ai paralajmëroi se të shtunën pritet të ketë ndryshim të motit në vend, me rënie të temperaturave deri në afërsi të zeros. Reshje priten gjatë së premtes në mbrëmje dhe të shtunën në mëngjes, por mundësitë për reshje bore janë të pakta.

“Të shtunën vjen kthesa e motit. Do të ketë ndryshim të temperaturave, me rënie deri afër 0 gradë Celsius. Reshjet priten të premten në mbrëmje dhe të shtunën në mëngjes. Temperaturat do të bien deri në afërsi të zeros, ndërsa mundësitë që reshjet të shndërrohen në borë janë të pakta. Erërat do të ndryshojnë drejtim, duke fryrë nga verilindja”, shtoi ai.

Sipas Rugovës, këto temperatura pritet të vazhdojnë deri në fund të muajit, ndërsa erërat mund të shkaktojnë luhatje të motit kohë pas kohe.