‘Miçaki” – mbetet një nga emrat e brezit të artë të viteve ’90 në futboll

Shkruan: Ismajl Veliu

Karrierën si futbollist e nisi në fillim të viteve `90-ta me klubin futbollistik Drita.

Ilmi Sylejmani – Miçaki ishte një futbollist me disiplinë të lartë sportive, i përkushtuar dhe gjithmonë i gatshëm të jepte maksimumin për ngjyrat bardhekaltër.

I njohur si një mesfushor i shkëlqyer, ai dallohej për inteligjencën në lojë, pasimet e sakta, luftën e pandërprerë në mesfushë dhe shpirtin garues që e karakterizonte.

Me paraqitjet e tij të mira, Ilmiu ishte një nga lojtarët që sillte stabilitet dhe suksese për ekipin, duke fituar respektin e bashkëlojtarëve, trajnerëve dhe tifozëve.

Përveç cilësive të tij si futbollist, Ilmiu kujtohet edhe për karakterin e tij të veçantë njerëzor.

Humori i spikatur, batutat e shumta dhe atmosfera pozitive që krijonte në çdo stërvitje e bënin atë të dashur për të gjithë.

Miçaki ishte shembull i një sportisti që dinte jo vetëm të luante futboll, por edhe të bashkonte ekipin me optimizmin dhe energjinë e tij pozitive.

Pas vitit 2000, Ilmiu i dha fund karrierës aktive si futbollist, por emri dhe kontributi i tij mbetën pjesë e kujtimeve të bukura të futbollit gjilanas.

Ai do të kujtohet gjithmonë si një sportist shembullor, një mesfushor cilësor dhe një njeri me virtyte të larta njerëzore, që me përkushtimin dhe karakterin e tij la gjurmë të çmuara në historinë e KF Drita dhe të sportit të qytetit të Gjilanit.

Ilmi Sylejmani – Miqaki mbetet një nga emrat e brezit të artë të viteve ’90, i cili me talentin, disiplinën dhe shpirtin e tij sportiv mbetet një figurë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë sportdashësit gjilanas.