Ministri Murati refuzon t’i falë gjobat: Nuk mbahet shteti kështu

Ministri i Financave Hekuran Murati ka folur sot në Parlamentin e Kosovës në lidhje me faljen e gjobave të shqiptuara për mosrespektim të masave kundër pandemisë.

“Nuk është kompetencë e MF-së, as të shqiptohen këto gjoba, as të falen, nuk është madje as e qeverisë, sepse janë gjoba të parapara me ligj”, tha Murati.

Madje ai tha se me faljen e këtyre borxheve nuk mund të mbahet shteti.

“Borxhet nuk mund t’i falim, me falje të  borxheve dhe falje të ndëshkimeve nuk mbahet shtetit. Shteti mbahet me tatim”, shtoi Murati.

Interpelanca për faljen e gjobave gjatë pandemisë u thirr nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri ka kërkuar që këto gjoba të falen si për bizneset ashtu edhe për qytetarët.