Minjtë hëngrën 200 kg drogë

Policia në Indi ka fajësuar minjtë për asgjësimin e gati 200 kilogramëve kanabis që ata kishin sekuestruar më parë nga tregtarët dhe ‘magazinuar’ në ambientet e komisariatit.

“Mijtë janë kafshë të vogla dhe nuk kanë frikë nga policia. Është e vështirë të mbrosh drogën prej tyre”, deklaroi gjykata në shtetin Uttar Pradesh.

Gjykata i kërkoi policisë të tregonte drogën e sekuestruar si provë dhe gjykatësi Sanjay Chaudhary përmendi deri në tre raste në të cilat brejtësit shkatërruan marijuanën e sekuestruar.

Bëhej fjalë për stoqe që supozohej se do të përdoreshin si provë në gjykatë në rastet e trafikut të drogës.

Në një prej urdhrave, kur gjykata i kërkoi policisë që të tregonte drogën e konfiskuar, thuhej se 195 kilogramë kanabis ishin ngrënë nga minjtë.

Në një rast tjetër, me 386 kg drogë, policia ka paraqitur një kallëzim ku thuhet se “një pjesë” e kanabisit ishte “ngrënë nga minjtë”.

Gjykatësi Chaudhary tha se rreth 700 kg marijuanë të sekuestruara nga policia ishin “ruajtur” në magazinat e stacioneve të policisë në rrethin Mathura dhe se e gjithë droga ishte “në rrezik nga minjtë”.

Ai theksoi se policia nuk është eksperte për zgjidhjen e këtij problemi specifik dhe këshilloi që barnat e konfiskuara të mbrohen nga “brejtësit e patrembur” në të ardhmen, në mënyrë që në vend që të mbahen në magazinat e policisë, t’u shiten laboratorëve kërkimorë dhe kompanive mjekësore dhe të ardhurat shkojnë në buxhetin e shtetit.

Mediat indiane kujtojnë se në vitin 2018, tetë oficerë policie argjentinase u pushuan nga puna pasi fajësuan minjtë për zhdukjen e gjysmë ton kanabis nga magazina e policisë.

Por ekspertët kundërshtuan pretendimin e tyre, duke thënë se kafshët “vështirë se mund të zëvendësojnë drogën për ushqim” dhe se në atë rast do të kishte shumë brejtës të ngordhur në magazina.

Një studim i vitit 2019 tregoi se minjtë laboratorikë, pasi konsumuan brumin e injektuar me kanabis, “u bënë më pak aktivë dhe u ul temperatura e trupit”.

Në vitin 2017, policia në shtetin lindor të Biharit fajësoi minjtë për konsumimin e mijëra litrave alkool të konfiskuar, një vit pasi shteti ndaloi shitjen dhe konsumimin e alkoolit.