Mustafë Koka – rrugëtimi i papërsëritshëm i një kryengritësi

Mustafë Koka (1930-1951) si 15-vjeçar, gjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore i bashkohet një njësiti të Brigadave shqiptare që po kalonte nëpër Kokaj.

Ai arriti t’i bashkohet brigadës shqiptare, në dimrin e madh, para se të kapitullonin nazistët.

Në një mënyrë jo të zakonshme ishte lidhur me ta, pasi në një gjuajtje me armë, te kroi i përroit në Kokaj, nuk e kishte gabuar shenjën.

Me të marrë lejen nga komandant Haxhiu, që ta provonte edhe ai, me të parën herë e ndau rrasën e gurit në thërrmija dhe pasi që luftëtarët e trimëruan për sukses në shenjëtari, aty për aty kërkoi të bashkohet me ta.

Në kryeqytetin e vendit, studioi tre vjet e gjysmë në gjimnazin e Tiranës.

Atje, në stërvitjet për shenjëtari nderohet me medalje të artë si përfaqësues i vendit në garat ballkanike.

Në fund të vitit 1947 kthehet në Kosovë, ku fillon punën si mësues, nevojë kjo shumë e madhe në Karadak e Anamoravë.

Puna e tij në arsim nuk zgjati shumë, pasi që pushteti komunist jugosllav ishte bërë i padurueshëm për shqiptarët e Kosovës dhe mësuesi vendosi të ballafaqohej me të edhe në mënyrë të armatosur.

Dihej se pas “mbarimit” të luftës, shumë shqiptarë pushteti i ri i kishte burgosur dhe i kishte dërguar për të vuajtur dënimin në kazamatet serbe.

Mes tyre ndodheshin edhe familjarët e mësuesit Mustafë Koka.

Duke e ditur biografinë e familjes së mësuesit, UDB-ja kish marrë përsipër që ta survejonte mësuesin dhe t’i bënin grackën për ta arrestuar.

Por, ai me kohë e kishte hetuar qëllimin e tyre.

Sipas një dosje të UDB-së, Mustafë Koka, më 6 qershor 1951, në banesën e tij kishte vrarë dy policë, Vojon dhe Xhaferin dhe kjo ndikoi të përshpejtohej dalja e tij në mal dhe t`i bashkëngjitet çetës së Hasan Remnikut.

Para se të kthehej mësuesi nga një mbledhje e fshatit, ku kërkohej që ta dorëzonin njeriun e fundit të ilegales, Hasan Alia, dy policët Xh. Lila dhe Voja futen të paftuar në banesën e tij, kinse për ta kaluar natën, por qëllimi i tyre ishte që ta dëbojnë atë përtej bjeshkëve.

Mustafa, me të hyrë në derë, i gjen policët duke luajtur shah dhe, në vend se të luante një figurë për t`ua bërë ‘mat’, ai nxjerr revolen dhe e zbrazë mbi ta.

Pas takimit me Hasanin dhe pasi atij ia tregoi arsyet pse donte të bashkohej me grupin e tij, Hasan Remniku i dëshiron mirëseardhje në radhët e çetës.

Më vonë ata bëhen shokë të pandashëm, sa edhe vdekja në fund nuk mundi t`i ndajë.

Meqë zullumi mbi jatakët e tyre ishte shtuar dhe jeta në mal ishte bërë e vështirë, para një dimri tjetër që po vinte, Mustafa dhe grupi i Hasan Alisë vendosën të largohen në Shqipëri.

Mustafë Koka me bashkëshorten Rabijen, e cila ishte shtatzënë, Agush Haziri me bashkëshorten Qibrijen dhe Hasan Alia, në krye të tyre, u vranë pabesisht në një pusi që kishte përgatitur OZNA, natën ndërmjet 10 e 11 tetorit 1951.

Mustafë Koka është dekoruar me titullin “Kalorësi i urdhrit të flamurit’ nga presidenti shqiptar, Ilir Meta. /Nijazi Ramadani/