Myftiu i Kosovës bën thirrje të respektohen masat kundër COVID-19 gjatë Bajramit

Myftiu i Kosovës, Naim Tërvana, në prag të Fitër Bajramit ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për këtë festë, duke u bërë thirrje që të respektohen masat kundër virusit.

Këtë vit, në Kosovë, Fitër Bajrami, i cili bie të enjten, do të falet në xhami, por duke respektuar masat kundër koronavirusit.

“Ne nesër kemi festë dhe bashkërisht do të jemi në xhamitë tona për ta falur namazin e Fitër Bajramit, por të kemi kujdes sepse virusi është ende në mesin tonë. Andaj për ta ruajtur veten e shëndetin publik, ne kemi hequr dorë nga ana ceremoniale e manifestimit tradicional të Bajramit. Në xhami do të jemi duke respektuar protokollet kundër COVID-19 dhe për ta falur vetëm namazin e Fitër Bajramit. Ju ftoj që të bëni kujdes edhe me vizitat tradicionale të Bajramit”, ka thënë myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në mesazhin e tij.