“Na vjen keq sa shumë të ka ndryshuar kolltuku”
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka reaguar ndaj deklaratës së Ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavcit, e cila mbrëmë paralajmërimin e kësaj sindikate për grevë më 1 shtator e quajti kërcënim dhe tha se është i papranueshëm.
Sipas Jasharajt, funksioni dhe kolltuku e kanë ndryshuar Nagavcin.
Ajo që na bën të ndjehemi edhe më keq është se fatkeqësisht funksioni e kolltuku e kanë ndryshuar shumë znj. Nagavci. Ajo dikur si deputete dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim ishte shumë e zëshme dhe në janarin e vitit 2019 kishte deklaruar publikisht kur SBASHK-u ishte në grevë dhe pikërisht për shkak të pakënaqësive lidhur me Ligjin e pagave se “greva që nuk e deshën as vetë mësimdhënësit erdhi si rezultat i keqqeverisjes” për të shtuar, veç tjerash edhe se “ …sikur Qeveria të mos i injoronte shqetësimet e SBASHK-ut sot nuk do t’i krijonte pakënaqësitë që i ka krijuar dhe nxënësit nuk do të mbeteshin në shtëpitë e tyre. Shkaktari i vërtetë i grevës është Qeveria e Kosovës””, thuhet në reagim.
Nga SBASHK i kanë kërkuar Nagavcit dhe Qeverisë që t’i hapin dyert për takime e dialog.

