NATO nis zvogëlimin gradual të trupave të KFOR-it në Kosovë

NATO ka njoftuar se do të nisë një proces gradual të optimizimit të pranisë së misionit paqeruajtës KFOR në Kosovë, duke përshtatur numrin e trupave në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në vend, përcjell albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus G. Grynkewich, i cili theksoi se NATO mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

“NATO dhe KFOR-i janë plotësisht të përkushtuar për sigurinë dhe mbrojtjen në Kosovë. Ky përkushtim ka çuar në rritjen e stabilitetit, pasi organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar më tej madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, deklaroi Grynkewich.

Sipas njoftimit të publikuar nga Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), NATO në muajin janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë, pas më shumë se dy vitesh rotacioni të vazhdueshëm, si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë.

Reduktimi i planifikuar i trupave do të realizohet gradualisht gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm, në përputhje me ciklet e rotacionit dhe dislokimit të vendeve pjesëmarrëse në mision. Megjithatë, NATO ka bërë të qartë se ky proces mund të ndalet ose të ndryshohet nëse zhvillimet në terren e kërkojnë një gjë të tillë.

Gjenerali Grynkewich ritheksoi se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se siguria e tij lidhet drejtpërdrejt me sigurinë euroatlantike.

“NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie”, theksoi ai.

KFOR-i pësoi përforcimin më të madh në më shumë se një dekadë gjatë vitit 2023, pas tensioneve në veri të Kosovës dhe sulmeve ndaj pjesëtarëve të misionit në Zveçan, kur rreth 1.000 ushtarë shtesë u vendosën në Kosovë.

Sipas NATO-s, me situatën aktuale të sigurisë që konsiderohet e qëndrueshme, KFOR-i mund të vazhdojë të përmbushë misionin e tij në mënyrë efektive, duke garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, NATO ka riafirmuar mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të angazhohen për zgjidhjen e çështjeve të mbetura dhe forcimin e stabilitetit afatgjatë në rajon.