Ndahet nga jeta pedagogu Nexhmedin Selimi

Është ndarë nga jeta, në moshën 64-vjeçare, pedagogu gjilanas, Nexhmedin Selimi.

Nexhmedini ishte djali i Shefkiut, njërit prej dy gjykatësve të parë shqiptarë në qytet, që themeluan gjykatën.

Në Gjilan e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm (gjimnazin), ndësrsa në Prishtinë – Fakultetin Filozofik, dega Sociologji-Filozofi.

Fillimisht punoi në Dekanatin e Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, si pedagog, sociolog e administrator arsimor, raporton portali kryelajmi.com.

Deri në vitin 2003, ishte pedagog i Edukatës Qytetare, ndërsa këtej e tutje ushtroi veprimtari të ndryshme në fushën e tij profesionale sociologjike, administrative, pedagogjike dhe psikologjike, si dhe u mor me hulumtime të ndryshme kulturore, arsimore, organizime tematike, tribuna, etj.

Profesor Selimi shquhet për rezultate të mira në fushën e edukimit të gjeneratave të reja, për çka u vlerësua disa vite rresht. Paralelja e tij ishte më e mira në nivel shkolle më 2019.

Veprimtaria arsimore dhe politike i ra në sy regjimit serb dhe në vitet e ’90-ta e arrestuan.

Ishte në mesin e intelektualëve shqiptarë të Kosovës që u larguan nga puna në Katedër, masa këto që u aplikuan vetëm ndaj shqiptarëve.

Pas luftës, në vitin 2003 rifilloi punën në SHFMU në Velekincë, ku punoi deri para gjashtë muajve, kur iu nënshtrua mjekimit intensiv nga një sëmundje e rëndë, me të cilën u përball deri më 16 janar 2020, kur ndërroi jetë.

Nexhmedin Selimi u varros në Gjilan, më 17 janar 2020. /Mediafokus/.