Ndalohen dy grupe të hajnave në Prizren, vodhën nëpër shtëpi gjëra me vlerë deri në 22 mijë euro

Një numër i madh i vjedhjeve patën ndodhur gjatë viteve 2018, 2019 dhe 2020 në shtëpitë e banorëve të fshatit Lubizhdë dhe Skorobishtë.

Përgjatë kësaj kohe zyrtarët policorë kanë tentuar që të gjejnë dëshmi dhe prova në lidhje me kryerësit e këtyre vjedhjeve.

Kësisoj nga hetimet fillestare është arritur që të arrestohen tre persona të dyshimtë B.S, A.A dhe H.B të cilët tani gjenden në qendër korrektuese në pritje të gjykimit.

“Në çdo vend të ngjarjes hetuesit policor kishin dyshimet për veprimet kriminale të cilat i kryenin personat dhe hetuesit filluan me gjurmimin e të dyshimtëve, duke mbledhur gjurmë dhe elemente për veprime hetimore.Për këto ngjarje hetuesit bashkëpunuan me Prokurorin e Shtetit në Prizren dhe filluan me masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit ndaj një grupi të caktuar kriminal.Hetimet fillestare dhanë rezultatet e para dhe fillimisht u arrestuan tre persona të dyshimtë B.S, A.A dhe H.B të cilët tani gjenden në burg dhe në pritje të gjykimit”,thuhet në njoftimin për media.

Tutje u tha se derisa policia po vepronte me masa të fshehta teknike u identifikuan edhe një grup tjetër i përbërë nga tre persona të cilët u intervistuan në cilësinë e personave të dyshimtë.

Në përgjithësi janë zbuluar shtatë raste të vjedhjeve në këto dy fshatra, ndërsa dëmet nga këto raste e kalojnë vlerën materiale në mbi 22 mijë euro.

“Policia rajonale në Prizren është e përkushtuar të punoj, hetoj dhe zbuloj të gjitha rastet e veprave penale, andaj falënderojmë qytetarët e rajonit të Prizrenit për besimin dhe gatishmërinë e dhënë në zbulimin e rasteve penale dhe njëherë kërkojmë që bashkëpunimi të thellohet edhe më shumë në interes te sigurisë dhe mbrojtjes së pasurisë”