Ndalohen punimet në dy objekte ndërtimi në Gjilan dhe Drenas

Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se ka ndaluar përkohësisht punimet në dy objekte ndërtimi, një në Drenas dhe një tjetër në Gjilan, pas konstatimit të parregullsive në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Gjatë inspektimeve në terren, inspektorët kanë evidentuar se në këto objekte nuk ishin marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së punëtorëve.

Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës.

Institucioni u ka bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës.