Në Emergjencën e QKUK-së trajtohen pacientë me probleme në zemër, pas infektimit me COVID

Drejtori i Klinikës Emergjente në Prishtinë, Basri Lenjani, ka thënë se po ballafaqohen me mbipopullim të pacientëve që ishin të infektuar me Covid-19, e që tash po kanë implikime në zemër.

Sipas tij, raste të tilla po ngarkojnë këtë klinikë, ngase ekzaminimi i tyre zgjatë deri në dy orë.

Ndërkohë, është rritur edhe numri i pacientëve të cilët kërkojnë shërbime emergjente mjekësore për shkak të temperaturave të larta.

Tutje, ai tha se shërbimet emergjente janë të detyruar të ofrojnë kujdes emergjent mjekësor për të sëmurët e lënduar dhe të helmuar.

“Në Klinikën Emergjente është rritur numri i të sëmurëve të cilët kërkojnë shërbime emergjente mjekësore për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të temperaturave të larta të cilat po ngjajnë në Kosovë, në regjion e Ballkan”, ka thënë Lenjani për EO.