Në Gjilan arrestohen dy persona nga Fushë Kosova, dyshohen për vjedhje

Sot, më 6 gusht, pas mesnate (rreth orës 01:25), policia e Kosovës në Kamenicë ka vërejtur një veturë të dyshimtë, me tabela 01 e cila ishte e parkuar në një vend në fshatin Berivojcë.

Vetura e dyshimtë, me të vërejtur policinë, largohet nga vendi ku ishte e parkuar dhe fillon të lëvizë me një shpejtësi të madhe në drejtim të Gjilanit, duke mos respektuar urdhrat e personave zyrtarë për ndalje.

Menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe me ndihmën e një patrulle të trafikut rajonal të Gjilanit, të dyshuarit janë ndaluar në fshatin Përlepnicë të Gjilanit.

Në veturë ishin dy persona, të dyshuarit I. Sh. (1987) dhe B. S. (1979) që të dy shqiptarë, shtetas të Kosovës, me banim në Fushë Kosovë.

Ne automjet, gjatë kontrollit, janë gjetur 32 copë shufra të bakrit, të dimensioneve te ndryshme, me peshë afër 120 kg., që dyshohet të jenë vjedhur nga trafo-stacionet e rrymës elektrike në ish-fabrikën e pllakave XIQ ‘Karaqeva’ në fshatin Berivojcë, komuna Kamenicë.

Vlera e dëmit të shkaktuar, sipas pronarit, është e konsiderueshme.

Sendet e gjetura janë konfiskuar nga ana e hetuesve policorë, në cilësi të provave materiale për gjykatë, kurse të dyshimtit janë arrestuar dhe pas intervistimit në prani të mbrojtësve ligjorë, nën dyshimin për ‘vjedhje të rëndë’ me urdhër të prokurorit të shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ka thënë togeri Ismet Hashani, zëdhënës rajonal i policisë në Gjilan./mediafokus.info