Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e Hotit
Lëvizja Vetëvendosje synon ta rrëzojë Qeverinë e Avdullah Hotit me mocion mosbesimi. Ka nisur edhe mbledhjen e nënshkrimeve.
Në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, tha se “Nga sot Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë”, raporton Gazeta Express.
Kurse deputetja Arbërie Nagavci e quajti qeverinë aktuale jokushtetuese.
“Kjo qeveri është jokushtetuese dhe jo ligjore, ajo e ka dëshmuar tash se është e paaftë për të qeverisur vendin. Kosovës i duhet një Qeveri që deshmoi se mund të qeveriset me duar të pastërta”, tha Nagavci.
Kritika Vetëvendosje pati edhe për menaxhimin që kjo Qeveri po bën me pandeminë Covid-19. Sipas deputetëve të VV-së, vendi po shkon drejt një katastrofe humanitare.
Kujtojmë se në mars të këtij viti ish-Qeveria “Kurti” ishte rrëzuar me ngritjen e mocionit të mosbesimit pikërisht nga LDK-ja, partneri i atëhershëm i saj, pas një seri përplasjesh me njëra-tjetrën.