Në Gjilan nuk ekziston lagje dhe as rrugë me emrin Bujanina
Edhe njëzet vjet pas luftës, në Gjilan po vazhdojnë të përdoren gabimisht emrat e rrugëve, lagjeve dhe shesheve të qytetit.
Gabimisht po përdoren emrat e rrugëve dhe lagjeve, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga kompanitë publike dhe vetë institucionet e ndryshme.
Në qytetin e Gjilanit nuk ekziston lagje dhe as rrugë me emrin “Bujanina” dhe as që ka ekzistuar ndonjëherë zyrtarisht, pas luftës, shkruan portali mediafokus.info
Në qytetin e Gjilanit nuk ekzistojnë as Lagjja 8 dhe as Lagjja 2, siç po përdoren shpesh, madje edhe nëpër shkresa zyrtare.
Qyteti i Gjilanit, zyrtarisht i ka 11 lagje. Asnjëra prej këtyre tri lagjeve nuk ekzistojnë.
Prandaj, nuk është mirë të përdoren emërtime të paqena, sepse ashtu “mbillen” pastaj në memorien e qytetarëve dhe barten brez pas brezi, që më vonë mund të shkaktojnë edhe paqartësi e pasaktësi historike.
Zyrtarisht, Gjilani ka këto lagje: Qendra, Iliria, Arbëria, Zabeli, Kulla, Dardania 1, Dardania 2, Kodra e Dëshmorëve, Lagja e Re, Dheu i Bardhë, Banja.
Lagjja 2 dhe Lagjja 8 janë emërtime të subjekteve politike, që i referohen ndarjes sipas nëndegëve.
Gjilani ka promovuar vitin e kaluar sistemin e ri dhe të zgjeruar të adresave, ku përfshihen edhe zonat rurale, me 1923 tabela emërtuese.
Ndërkohë janë bërë edhe disa korrigjime e plotësime dhe pritet që edhe ato të përfshihen së shpejti në adresarin e përgjithshëm./mediafokus.info