Në Gjilan qartësohet sot shumëçka sa i përket titullarit të Superligës së Kosovës në futboll

Sot prej orës 17:00 luhet njëra nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni, Gjilani-Prishtina, e cila qartëson shumë gjera sa i përket titullarit të këtij kampionati, po aq sa edhe pozitës së dytë.

Nëse Gjilani merr pikë të plota në stadiumin e vet, faktikisht ia mundëson rivalit lokal të ruaj diferencën e pikëve me konkurentin kryesor, që deri sot llogaritet Prishtina.

Nëse Prishtina nuk merr pikë në Gjilan, gjasat e saj për të marrë vendin e parë zvogëlohen dukshëm, por i mbetet të luftojë për vendin e dytë, bashkë me Gjilanin dhe Ballkanin.

Tifozët e Dritës, sot luten të fitojë Gjilani, anipse kjo fitore mund ta rrezikojë në njëfarë mënyre Dritën, nëse bën gabime në dy-tri lojërat e mbetura, gjë që nuk pritet të ndodhë, sado sfiduese qofshin ato.

Humbja e Prishtinës në Gjilan dhe fitorja e Dritës, nesër ndaj Ferronikelit, do ta shtonte në 7 pikë diferencën e liderit – Dritës me pasuesin, që do të ishte Ballkani, me kusht që siguron pikë të plota nga Llapi.

Sidoqoftë, e tërë vëmendja e futbollit dhe futbolldashësve kosovarë është kthyer sot nga qyteti i Gjilanit dhe klubi me këtë emër.

/mediafokus.info