Në këtë fshat të Gjilanit ruhet njëra prej dy makinave të vetme me avull në botë
Në fshatin Cërnicë të Gjilanit ruhet një makinë me avull prej gati një shekulli.
Familja Hoxha e kishte blerë këtë makinë në vitin 1929.
Makina i ka rezistuar kohës, madje edhe luftës dhe si një relikt interesant ruhet me xhelozi edhe në ditët e sotme.
Një makinë të këtij lloji dhe kësaj vjetërsie, rrallëkush në botë mund ta ketë.
Sipas asaj që dinë familjarët Hoxha, një makinë e tillë, për disa numra më e vjetër, gjendet në Muzeun e Bujqësisë në Kështjellën “Blankenhain” në qytetin Crimmitschau në Gjermani.
Kurse makina e familjes Hoxha është prodhim i vitit 1928, e markës “Akt. Ges. Th. Floether Gassen”.
Familja Hoxha e kishte blerë këtë lloj makine në vitin 1929. Dikush i kishte sjellë asokohe dy makina të tilla, të reja, nga Austria dhe njërën e kishin blerë ata.
Për dallim prej të tjerëve, familja Hoxha e ka ruajtur makinën.
Çmimi i makinës ishte i barabartë me 20 pendë qe
Sipas familjarëve, kjo makinë, asokohe kishte vlerë sa 20 pendë qe (kije të zgjedhës), që ishin para të mëdha në ato vite.
Por si funksionon kjo makinë?
Makina mbushej me kashtë, e cila ndizej për të vluar ujin, ndërsa avulli që krijohej pastaj e shtinte në lëvizje makinën.
Makina ka katër rrotë, por nuk është vetëlëvizëse. Tërhiqej nga kafshët prej një vendi në tjetrin, ku duhej të punonte.
Vitet kalonin dhe gjerat ndryshuan. Kur me të madhe hynë në përdorim traktorët, makinat me avull u lanë tërësisht anash.
Edhe familja Hoxha, që nga viti 1959 nuk e përdorë më makinën me avull, por e ruan dhe kujdeset për të.
Fati deshi që makina të shpëtojë edhe gjatë luftës së fundit, kur familjes Hoxha iu dogj shtëpia.
Familja Hoxha thonë se gjithmonë ka pasur të interesuar për ta blerë makinën me avull, jo për përdorim, por për ta pasur si dekor nëpër ambiente restorantesh, por nuk e kanë shitur.
Austriakët interesohen për makinën e tyre
Duke u interesuar për një makinë të tillë, një mik i familjes Hoxha kishte bërë një kërkim në Austri dhe e kishte gjetur fabrikën, ku ishte prodhuar.
Sipas tij, austriakët janë të interesuar ta marrin makinën me avull në Cërnicë, kur ajo t`i mbush 100 vjet.
Por, familja Hoxha zor se do ta jap këtë makinë, pasi e kanë ruajtur kaq gjatë në oborrin e tyre.
Vitet e “hanë” edhe hekurin, nëse nuk mbrohet mirë. /Mediafokus