Në prishjen e koalicionit më së paku ka pasur ndikim SHBA
Myzejene Selmani
Një studim për hartimin e lajmeve të rrejshme nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, që i referohet Kosovës, ka ngjallë reagime të shumta në opinionin publik, sidomos sa i përket pjesës që i referohet rënies së Qeverisë Kurti dhe liderëve politikë të “implikuar në të”, përmes dezinformatave.
Dhe realisht kësaj po i ndihmojnë edhe vetë elita politikëbërëse të cilët në procese të rëndësishme japin deklarata të paqarta duke krijuar tymnajë dhe duke nxitur mediat në ngritjen e hipotezave deri në spekulime që marrin trajtën e fake news.
Nuk mund të përgjithësohen të gjitha mediet se kanë raporte klienteliste me politikën, sepse për këtë duhen prova. Problemi kryesor qëndron në atë që në skenën politike ka pasur një koncensus për vazhdimin e dialogut në çfarëdo formati, përveq LVV e cila kishte vendosur disa parakushte.
Dhe nëse ka një koncensus të përgjithshëm atëherë normalisht që është e vështirë të vallëzosh nëse njëri nga partnerët nuk është dakord me këtë. Tek e fundit është parlamenti i cili do të jap verdiktin a ka qenë e mirë vazhdimi i dialogut apo jo.
Nëse ka pasur koncensus të përgjithshëm për dialog të skenës politike e cila është e provuar dhe argumentuar, është dashur që LVV të mos hyjë në asnjë matematikë të koalicionit zgjedhor, sepse reagimi i partnerit cilido qoftë në këtë rast është i ditur.
Dhe pothuajse njëzëri duke parë ecurinë e dialogut me ndërmjetësimin e BE, të gjitha subjektet njëzëri kanë kërkuar ndihmën e SHBA, qoftë me reflektimin e saj në raport me BE, qoftë me ndonjë ndërmjetësim. Dhe në këtë rast më së paku në prishjen e këtij koalicioni ka pasur ndikim SHBA.

