Në pritje të formimit të qeverisë së re

Më pak se një javë, prej kur Gjykata Kushtetuese ka bërë publik vendimin lidhur me mandatarin për formim të qeverisë së re, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që të mërkurën në orën 11:00 të nisë seancën për të votuar një përbërje të re ekzekutive, në krye me Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të datës 28 maj, është thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me të drejtë ka mandatuar Hotin për formim të qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.

Për pjesëtarët e LVV-së, vendimi i Gjykatës ka qenë skandaloz.

Kjo parti nuk ka bërë të ditur nëse do të jetë pjesë e seancës ditën e mërkurë, ani pse shefi i Grupit Parlamentar të kësaj Lëvizjeje, Rexhep Selimi, ka thënë të martën për media se partia të cilës ai i takon, do të kundërshtojë, atë që e ka cilësuar si “rrëmbimin e fitores së Vetëvendosjes”.

“Ata kanë një target, që ta rrëmbejnë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, fitoren e qytetarëve dhe ta tjetërsojnë atë”, ka deklaruar ai.

Për këtë parti, zgjedhjet janë zgjidhje. Të shtunën, më 30 maj, Sekretarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Haxhimurati ka njoftuar se pjesëtarët e kësaj Lëvizjeje do të nisin një peticion për mbajtje të zgjedhjeve të reja në Kosovë.

“Zgjedhjet janë zgjidhje e krizës politike, zgjedhjet janë paqësore dhe demokratike. Ato janë e vetmja rrugë për të dalë nga ngërçi. Peticioni do të jetë i stërmadh”, ka deklaruar mes tjerash ajo.

Përveç versionit online, nga dita e martë ka nisur edhe nënshkrimi fizik i peticionit, “Duam Zgjedhje!” nëpër sheshet kryesore të Kosovës.

Pas mbledhjes së mbajtur në pasditen e së martës, Vetëvendosje ka thënë se protestat po bëhen të pashmangshme, ndonëse nuk ka paralajmëruar ndonjë organizim për ditën e mërkurë.

“Për neve qeveria nuk është qëllim, por mjet për shtetin dhe shërbim për qytetarin. Natyrisht, nuk duam të dekurajojmë protesta të tjera të paralajmëruara nga grupe të ndryshme të qytetarëve”, është thënë në faqen zyrtare të LVV-së në Facebook.

Çfarë e pret qeverinë e re?

Një ditë para mbajtjes së seancës, mandatari për formim të qeverisë së re, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria e re do të përballet me sfida të shumta, derisa ka veçuar, luftimin e pandemisë së koronavirusit të ri, problemet ekonomike dhe dialogun me Serbinë.

Edhe Kosova, sikurse shumica e vendeve në botë është duke u përballur me sëmundjen, COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Marrë parasysh të dhënat deri më 2 qershor, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar, 1,123 raste me koronavirus.

Prej tyre, 847 janë shëruar derisa 30 kanë vdekur.

Kjo pandemi pritet të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike. Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se besohet që në baza ditore, koronavirusi shtetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 6 milionë euro.

Por jo më pak i rëndësishëm është dialogu me Serbinë. Ky proces, që është pezulluar nga viti 2018, konsiderohet tejet i rëndësishëm për rrugën evropiane të Kosovës.

Shkak për pezullim të dialogut ka qenë vendosja e taksës 100 për qind në mallrat serbe nga Qeveria e kaluar e Kosovës.

Kabineti i Hotit

Përveç prioriteteve, pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së të martën, Hoti ka njoftuar edhe se është arritur pajtueshmëri për emrat e ministrave të kabinetit të tij nga partia të cilës ai i takon.