Në QKUK i shpëtohet jeta fëmijës që i mbeten kikirikët në fyt

Në Klinikën e Otorinolaringologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, i është shpëtuar jeta fëmijës N.G (2018).

Mjekët e ORL-së, në bashkëpunim me ata të Klinikës së Anesteziologjisë e Reanimacionit dhe Klinikës së Pediatrisë, arritën që pas intervenimeve ta shpëtojnë foshnjën 14 muajshe.

Ajo kishte përbirë kikirikë, copëza të së cilëve i kishin mbetur në fyt. Duke parë gjendjen e fëmijës, prindërit fillimisht ishin drejtuar në Klinikën e Pediatrisë, ndërkohë fëmijës po i shtoheshin problemet me frymëmarrje, me rekomandim të mjekut pediatër, fëmija drejtohet në Klinikën e ORL-së.

Pas konsultimit ndërmjet mjekëve të tre klinikave, në mënyrë konsiliare vendoset që fëmijës t’i bëhet trakio bronkoskopi (ndërhyrje në rrugët e frymëmarrjes).

Pasi ishte ftuar edhe ekipi shtesë i ORL-së, për të asistuar në kryerjen e kësaj procedure, fëmijës i hiqen 4 copëza kikiriki dhe i lirohen rrugët e frymëmarrjes.

Për të gjitha këto procedura ishte marrë pëlqimi nga ana e familjarëve.

Kjo procedurë është kryer me aparaturën e re të bronkoskopisë, me të cilën është furnizuar së fundi Klinika e ORL-së, njoftohet nga QKUK-ja/Mediafokus/