Nën këtë qiell, të ngarkuar me re….

QELITË

(Kushtuar dëshmorit të kombit Zija Shemsiut)

Qelitë memece

Notonin të zymta

Të rënduara nga gjaku dhe pesha e rinisë

E bashkë me to notonin

Ëndrrat dhe shpresat e tua Zija.

E di mire e i njoh

Tërë gjeneratat e tua

Që linden e u rritën

Me një dëshirë të madhe

Të shihnin njëherë Diellin e Lirisë!

Të këndonin një këngë

E t`i mbyllnin Sytë!

Nën këtë qiell, të ngarkuar me re

Mes mjegullës së kohërave,

Mes ujërave të turbullta

Ku në çdo hap vdekja përgjon!

Eh…!

Sa shpejt kaluan

Kufijtë e imagjinatës!

Morën udhë e hodhën shtat

Ëndrrat e tua Zija,

E u kthyen

Në gjerdane të Lirisë!

Isuf B.Bajrami “Fushë e Trimërive”, Gjilan 1995 fq.26-27.

(Zija Shemsiu u lind më 1 korrik 1950 në Përlepnicë. Vdekja e tij ndodhi në një qeli të burgut qendror në Beogradit! Kjo vdekje ndodhi pas torturave të shumta dhe çnjerëzore,në mënyrën më mizore duarlidhur natën në mes 1 e 2 majit 1985 . Zijahu u varros më 5 maj 1985 në varrezat e fshatit të tij të lindjes Përlepnicë)