Nëna dhe njerku braktis djemtë 3 dhe 5 vjeç në mes të pyllit – u gjetën duke qarë
Një seksologe franceze dhe partneri i saj janë arrestuar në Portugali, pasi dyshohet se braktisën dy djemtë e vegjël të gruas rreth 2,400 kilometra larg shtëpisë së tyre në Francë.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë policinë portugeze duke shoqëruar çiftin francez, Marine Rousseau, 41 vjeçe, dhe ish-policin Marc Ballabriga, 55 vjeç, drejt një automjeti policor, pasi ata u lokalizuan në një kafene në qytetin Fatima, raporton Metro
Vetëm dy ditë më parë, dy fëmijët e Marine, Barthelemy, 5 vjeç, dhe Zacharie, 3 vjeç, u gjetën duke qarë dhe të vetëm në një zonë pyjore rurale, rreth 200 kilometra larg vendit ku u arrestua çifti.
Sipas televizionit portugez SIC, i cili publikoi pamjet filmike, çifti kishte mbërritur më herët gjatë ditës në kafenenë “O Vasco” në Fatima me një veturë Opel me targa franceze.
Ndërkohë, media portugeze RTP raportoi se një polic portugez që fliste frëngjisht kishte dëgjuar çiftin duke diskutuar një plan për të “u shtirur si të çmendur” pas arrestimit të tyre.
Biseda dyshohet se ndodhi në automjetin policor gjatë transferimit nga Fatima drejt një stacioni policie në Palmela, rreth 160 kilometra larg.
Marine Rousseau dhe Marc Ballabriga pritet të dalin para gjykatës, ku do të vendoset nëse do të mbahen në paraburgim për akuzat e dhunës në familje dhe braktisjes së fëmijëve.
Babai i dy djemve kishte raportuar zhdukjen e tyre më 11 maj, pasi fëmijët u zhdukën nga shtëpia e tyre në Colmar, në verilindje të Francës, pranë kufirit me Gjermaninë.
Sipas raportimeve, Marine kishte lënë në shtëpi edhe një fëmijë tjetër 16-vjeçar, para se të niste udhëtimin prej mbi 2,000 kilometrash me dy djemtë e vegjël dhe partnerin e saj.
Ajo kishte kaluar përmes Spanjës drejt Portugalisë, ndërsa kërkimet për ta po intensifikoheshin.
Çifti ishte filmuar edhe gjatë rrugës, teksa furnizonin veturën me karburant në një pikë karburanti.
Pas gjetjes së fëmijëve, ata u dërguan për trajtim mjekësor dhe më pas u vendosën në kujdes të përkohshëm nga autoritetet portugeze, transmeton Klankosova.

