Nëse duam t’i dhurojmë shoqërisë diçka të vlefshme, le t’i dhurojmë fëmijë të edukuar me dashuri

Besnik Sherifi – Psikolog Klinik

(1 Qershori Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve)

 

1 Qershori është Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Fëmijëve ku vëmendja e prindërve, shoqërisë, institucioneve u drejtohen fëmijëve në respektimin e të drejtave të tyre, interesimin, kujdesin ndaj tyre dhe rritjes së  mirëqenies.

Në këtë ditë fëmijët bëhen qendra e botës  duke realizuar aktivitete të shumta e ndryshme. Për ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojëra të ndryshme, rekreative, sociale etj.

Përveç një dite festive, 1 qershori është edhe një ditë sensibilizuese për të ndaluar dhunën  dhe abuzimin tek fëmijët ku dihet se  përdorimi i dhunës tek fëmijët, ekspozimi ndaj dhunës, pa dyshim se bënë fëmijë të dhunshëm, agresiv, konfliktuoz, delikuent etj.

Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllime të rrisin vetëdijesimin, për mënyrën e trajtimit, kujdesit dhe mirëqenies së tyre.

Pa dyshim se angazhimi dhe përkushtimi ndaj fëmijëve është çështje shume relevante duke konsideruar se kujdesi, sjellja, kontakti me fëmijët krijon një botëkuptim për të shumë pozitiv, ndjenja të rehatisë sigurisë, ngritjen e vetëbesimit si dhe duke perceptuar një të ardhme të sigurt dhe me optimizëm.

Zhvillimi i fëmijës është një proces ku ai kalon nëpër stade të ndryshme ku zhvillohen proceset kognitive, sociale, emocionale etj., në zhvillimin  e këtyre proceseve ndikim të rëndësishëm kanë: prindërit për mënyrën e sjelljes, komunikimin, socializmin zhvillimin e proceseve njohëse, bashkëpunimin etj., po ashtu rol të rëndësishëm ka  familja në përgjithësi, roli i anëtarëve të familjes, rrethi social, mjedisi, institucionet e ndryshme edukative-arsimore etj.

Sipas psikologut (James, 2016) zhvillimi ynë ngjan me ngjitjen në degët e një peme. Në secilën fazë të jetës, ne kalojmë nëpër degë të ndryshme kjo në varësi të mënyrës se si janë kujdesur për ne.

Nëse do ta krahasonim shëndetin emocional me kurorën e një peme, ekziston rreziku që për shkak të mungesave ose keqtrajtimit në moshën e hershme të jetës, të biem në grackën e një dege të ulët të pemës.

Kjo na qon në degëzime të reja, të cilat krijojnë më tej të tjera, derisa me shumë gjasë mund ta gjejmë veten  në fund të një dege vetëshkatërruese ose nën efektin e varësisë ndaj drogave ose problemeve e çrregullime të ndryshme psikologjike.

“Nëse duam t’i dhurojmë shoqërisë diçka të vlefshme, le t’i dhurojmë fëmijë të edukuar me dashuri, pasi në këtë mënyrën i dhurojmë njerëz të ndershëm, të lumtur, aktiv e të pavarur” (M. Chaves).