Molliqaj thotë se VV doli kundër faljes së gjobave gjatë pandemisë

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i ka reaguar ushtrueses së detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se falja e gjobave ndaj qytetarëve përgjatë pandemisë do t’i dekurajonte ata në zbatimin e ligjit.

Molliqaj, nëpërmjet një reagimi në ‘Facebook’, e ka pyetur Kusari-Lilën se “si e arsyetojnë faktin që ishin po të njëjtit që para pak ditësh votuan dhe ua paguan 11 milion euro serbëve në veri për rrymën e pa paguar?”.

Tutje, ai ka thënë se kjo kundërshti po bëhet vetëm për faktin që PSD ndërmori iniciativën për peticionin që bën thirrje për faljen e gjobave ndaj qytetarëve, të dënuar konform Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19.

Postimi i plotë i Molliqajt:

Shefja e deputetëve të VV-së paska dalë kundër faljes së gjobave të pandemisë ndaj qytetarëve. Qenkan ”arsyetuar” se falja e gjobave do t’i dekurajonte qytetarët që respektuan ligjet.

Nëse qeveria e VV nuk do të dëshironte që t’i dekurajoj qytetarët që respektojnë ligjet, si e arsyetojnë faktin që ishin po të njëjtit që para pak ditësh votuan dhe ua paguan 11 milion euro serbëve në veri për rrymën e pa paguar?

Ky kundërshtim i faljes së gjobave të pandemisë nga VV është banal dhe vjen vetëm e vetëm për faktin që është PSD-ja ajo që ndërmorri iniciativën për peticion, iniciativë kjo që po mbështetet çdo ditë nga mijëra qytetarë.

Hipokritët në qeveri duhet t’i ndalin qasjet e tyre selektive. Gjobat e pandemisë janë të padrejta, sepse janë pikërisht qeveritarët ata që i kanë shkelur masat, anipse i kanë përpiluar vetë ato.

Peticioni vazhdon, deri në arritjen e qëllimit tonë të përbashkët.

Sapo Ndodhi: