Nesër në Gjilan, në 75-vjetorin e lindjes nderohet Beqir Musliu

Pikërisht në 75 vjetorin e lindjes, më 11 qershor, 2020, Gjilani, si vendlindje e tij, nderon në pajtim me kushtet dhe rrethanat e kësaj kohe pandemike, njërin nga bijtë e saj më të çmuar, shkrimtarin Beqir Musliu, ka thënë kryetari i Ars Clubit letrar, Sabit Rrustemi.
Përmes Zyrës së Kryetarit të komunës, Lutfi Haziri, Drejtorisë për kulturë, rini e sport si dhe asociacionit alternativ të shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan, Ars Clubit “Beqir Musliu”, në ora 10:00, te Varri i shkrimtarit, do të vendosen lule dhe do të bëhen nderime.
Më pas, ora 11:00, në Zyrën e kryetarit të kësaj komune, një Juri profesionale, e emëruar nga kryetari Haziri, do të bëj publike emrin e fituesit të ri të Çmimit letrar “Beqir MUsliu”, njëri nga çmimet më prestigjioze në vend, që jepet në nderim të jetës dhe veprës së Beqir Musliut, që nga viti 2004 e këndej.
Çmimi letrar “Beqir Musliu” , pavarësisht rrethanave pandemike, i reduktuar paksa në procedura dhe nga cereominia publike, ruan vazhdimësinë dhe synimin kryesor që ka, për t’i vlerësuar dhe shpërblyer vlerat e mirëfillta artistike si dhe prurjete reja në letërsi.
Deri më tash, me këtë Çmim letrar janë nderuar: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi e Edi Shukriu.
Cili do të jetë fituesi i 14-të me radhë, do të dihet nesër, ka thënë Rrustemi./mediafokus.info