Ngritet aktakuzë kundër kryetarit të Kllokotit, dyshohet për cënim të vullnetit të votuesve
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër kryetarit të Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, lidhur me zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.
Njoftimi është bërë nga Prokuroria Speciale ku thuhet se është vërtetuar dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale.
“Prokuroria Speciale njofton se aktakuzën e ka ngritur kundër Dejanoviq për shkak se është vërtetuar dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’ e paraparë dhe sanksionuar me nenin 210 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e tyre.
Bozhidar Dejanoviq dyshohet se ka ndikuar tek punëtorët e komunës së Kllokotit dhe qytetarë të tjerë për të votuar në një mënyrë të caktuar.

