Një 77-vjeçar humb jetën në aksident trafiku në kryqëzimin me rrugën qarkore në Gjilan

Një akisdent me fatalitet ka ndodhur sot pasdite në kryqëzimin me rrugën qarkore afër ambulancës ‘Ramiz Cërnica’ në Gjilan, ku ka humbur jetën një person i moshës 77-vjeçare nga fshati Livoç i Poshtëm.

Lajmin për Mediafokus.info e ka konfirmuar zëdhënësi rajonal i PK-së në Gjilan, togeri Ismet Hashani.

“Më 21 maj 2021, rreth orës 15:00 ka ndodhur aksident trafiku me pasoja fatale. Dyshohet se deri te aksidenti të ketë ardhur kur drejtuesi i veturës “Pezho” duke tentuar të kyçet në rrugën kryesore, është ndeshur me kamionin “MAN” i cili ka qenë duke lëvizur në rrugën kryesore. Me këtë rast shkaktohet aksident trafiku me dëme materiale në dy njësi dhe lendime trupore pëson drejtuesi i veturës. Si pasojë e plagëve të marra në aksident, drejtuesi i veturës (1944) ndërron jetë në QE në Gjilan. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pa jetë të dërgohet në IML –Prishtinë. Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës (PK), trafiku rajonal në Gjilan”, ka thënë Hashani.

Mediafouks merr vesh nga burimet e veta se i ndjeri është M.H. (1944) dhe ka dyshime se ai mund të ketë pasur probleme shëndetësore në momentin e aksidentit, por këtë mbetet ta vërtetojë mjekësia ligjore, pas obduksionit.

Njoftimin për vdekjen e M.H. e kanë dhënë ndërkohë edhe familjarët, të cilët e kanë publikuar edhe fotografinë e të ndjerit.

‘Ju njoftoj që sot ndrroi jetë më i dashuri ynë Babai.Ju njoftjmë për vorrim’, ka shkruar djali i tij.

Axha Mehmet ishte një burrë i mençur dhe i matur, i përkushtuar ndaj punës dhe familjes dhe shumë i respektuar nga rrethi. /Mediafokus.info