Një çifti pleqsh iu vodh rrota e djathit

Një çift të moshuarish kanë denoncuar vjedhjen e banesës së tyre, ku pos tjerash, hajnat kanë marrë edhe një rrotë djathi. 

Bëhet fjalë për çiftin Tahir dhe Sabire Sulmina nga Cerriku. Dy të moshuarit ishin larguar në një fshat, pasi u kishte ndodhur një fatkeqësi, kur u ndodhi grabitja në banesë.

Ata thonë për emisionin “Stop” se grabitësit kanë marrë mbi 1300 Euro, bizhuteri me vlerë, rroba, ushqime madje dhe një rrotë djathi. Kamerat e shtëpisë kanë fiksuar dy persona, njëri me maskë për Covid dhe me kapuç, tjetri me maskë për Covid dhe kapele me strehë. Njëri ruan me pistoletë, tjetri kryen vjedhjet në banesë dhe sendet e vjedhura i fusin në çanta.

Çifti i të moshuarve tregon se grabitësit shkuan në banesën e tyre sapo ata ishin larguar. Sabire dhe Tahir Sulmina kanë frikë për jetën e tyre. Zonja e shtëpisë shprehet se nuk guxon të dalë as në oborr. Ndërsa përmend një emër për të cilin dyshon se ka lidhje me grabitësit dhe sipas saj është personi që i informoi.