Një gotë verë për shpirtin e Nexhmijes sonë
Gazeta për kulturë Kultplus, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për ta nderuar bilbilin dhe bareshën e pavdekshme të Kosovës, Nexhmije Pagarushën, e cila ndërroi jetë këtë javë.
Ajo ka ftuar komunitetin artistik, por edhe njerëzit e thjeshtë, që të bashkohen në ambientet e Kultplus për të pirë një gotë verë për Nexhmijen.
Ky është postimi i editores së gazetës Kultplus, Ardiana Pajaziti:
Nuk e prisnim, por edhe nuk ishim e nuk jemi gati ta pranojmë një vdekje si kjo, e një gruaje legjendë e cila me zërin e saj i dha jetë plot melodive, i dha jetë këtij populli ndër vite e regjime.
Kultplus, gazeta e parë shqiptare e këtij formati që raporton për art dhe kulturë, me datë 9 shkurt, e diel, prej orës 13:00 e deri në orën 16:00 ju fton në KultPlus Caffe Gallery për një gotë verë për Nexhmijen tonë.
Me Nexhmijen nuk ka ikur asgjë, përjetësia e saj është e sigurtë.
Ju ftojmë që të vini e të pini një gotë verë për Nexhmije Pagarushën, në një hapësirë si KultPlus Caffe Gallery, ku këngët e Nexhmijës tash e disa kohë jehojnë të mrekullueshme, të mishëruara, ashtu si vetë ajo.
Për komunitetin artistik, për njerëzit e thjeshtë që janë dehur me muzikën e Nexhmije Pagarushës, për secilin e secilën prej jush, ejani në këtë takim ku do të dëgjojmë këngët e Nexhmijes, do të pijmë për sytë e saj të bukur.
Ngjarja është e hapur për të gjithë. E diele, ora 13:00 deri në orën 16:00 në KultPlus Caffe Gallery./Mediafokus

