Një historik për terzitë -rrobaqepësit e Gjilanit

Faik Ziyazade

Nga zejet prodhuese të degës së tekstilit, edhe pse ajo zë fill më vonë se disa zeje tjera, më e hershmja dhe më e rëndësishmja ishte zeja e terzinjve, e cila fillimisht është zhvilluar në kuadër të zhgunaxhinjve, ku ishin të afirmuar rrobe tradicionale prej zhguni etj.

Kjo zeje ka marr hov dhe është zhvilluar dhe transformuar sipas nevojave të kohës.

Dihet se nga gjysma e dytë e shekullit XIX, veshja popullore nga përpunimi i shajakut, që punohej në valanica (dërstila), dhe pëlhura të tjera bëheshin veshmbathje të ndryshme me qepje me dorë, si për burra, ashtu edhe për gra e fëmijë, kurse më vonë midis dy luftërave botërore qepja bëhej me makina qepëse të tipit “Singer”, “Bagat”, “Qepel” e të tjera, që punonin me dorë e me këmbë.

Mirëpo, dihet fakti se prodhimet vendore të pëlhurave, në krahasim me kohën më të hershme shënojnë rënie nga vërshimet e tekstileve të lira të industrisë evropiane, të pëlhurave të importuara të leshta, mëndafshi, pambuku, që bëjnë ndryshime në mënyrën e jetesës – të veshmbathjes.

Me depërtimin e veshjes evropiane, u pakësuan edhe terzinjtë e vjetër, por shfaqen rrobaqepësit apo terzinjtë bashkëkohorë, të cilët, me mjetet e kohës, filluan të qepnin sipas nevojave bashkëkohore. Edhe nga shkaku se nevoja për këtë zeje në çdo shoqëri dhe rend shoqëror përherë ishte e madhe.

Për kohën më të hershme rreth kësaj zejeje dhe numrin e dyqaneve zejtare na mungojnë të dhëna.

Në regjistrin e Esnafit-Odës Zejtare për Rrethin e Gjilanit për periudhën midis dy luftërave botërore, shohim të regjistruara 6 terzinj me leje pune dhe me dyqanet e tyre.

Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, (1945-1963), në Rrethin e Gjilanit kishte 27 dyqane të regjistruara rrobaqepësie, gjë që flet për një zhvillim të shpejtë të kësaj zeje, por me hapjen e Kooperativës së Terzinjve, pakësohet dukshëm numri i dyqaneve të tilla private.

Ndër rrobaqepësit më të njohur të cilët edhe kishin dyqane zejtare të rrobaqepësisë në rrugët e Gjilanit nga viti 1920 e deri më 1970, për të cilat arritëm të mësonim, ishin si në vijim.

Në rrugën kryesore të qytetit, dyqanet rrobaqepësie i kishin: Kurtesh Sherifi, Shefqet Mustafa dhe Shukri Kastrati, pastahj serbët Sergja Nikoliq, Milivoje N. Danetoviq, Mile S. Rajçiq, Mladen S. Gjokiq, Zarija N. Miciq dhe Vladimir G. Kostiq.

Në rr. “Adem Jashari” dyqanet e tyre të terzinjve i kishin Tefik Okllapi, Gani Lama, Aliriza Shaqiri, Haki Dubova, Ramiz Dubova, Enver Mustafa dhe Mahmut Sait-Goli.

Ruhan Emini, nga viti 1945, kishte dyqanin e tij në rr. “Zija Shemsiu”, Sabit Selmani, punoi në kooperativën rrobaqepëse, pastaj si mjeshtër i pavarur deri më 1970.

Në rr. “Medlin Olbrajt”, dyqane rrobaqepësie kishin Sava Dimiq, Dimitrije R. Trumpiq dhe Llazar A. Kolareviq.

Në të dhënat e tatimpaguesve, me leje pune për vitet 1949-1959 hasëm edhe emrin e rrobaqepsit Riza Bislim Latifi, Faik Musliu, i shpërngulur më vonë në Turqi, pastaj me leje të ndihmës mjeshtrit dhe mjeshtrit ishin edhe Ismajl Ismaili, Halil Behluli, Enver Rexhepi, Ahmet Rexhepi, me 1956 Jahir Mustafa, me 1958 Sadulla Osmani, me leje pune nga viti 1961 Mitat Latifi, Selatin Salihu – Kazazi si dhe terziun Kadri Azizi, me dyqanin e tij në fshatin Zhegër nga viti 1955.

Duhet të shtojmë se rrobaqepës të shumtë kishte edhe nëpër shtëpi, disa edhe me leje pune, ku duhet veçuar gjininë femërore, të cilat qepnin kryesisht paje për nuse.

Sa kemi njohuri, nga femrat rrobëqepëse të njohura në Gjilan me leje pune ishte Sadete Gashi (Godanca) Ahmeti, nga viti 1953, që punonte së bashku me motrën Hidajetën në shtëpi.

Nga të dhënat shihet se ajo paguante obligimin tatimor në të ardhura dhe në qarkullim.

Kurse sa i përket femrave me leje pune dhe dyqanet e tyre në Gjilan, sa arritëm të mësonim ishin, rrobaqepëset, Firinazja dhe Magbulja nga viti 1959, që të dyja me dyqane në Rr. “Zija Shemsiu”, kurse më vonë edhe Metija me dyqan në Rr. “Gjinolli”.

Disa anekdota për rrobaqepësit

M`i qep rrobat që nuk i ka askush në botë!

Një myshteri hyn tek një rrobaqepës dhe i drejtohet:

-Mjeshter, a mund të mi qepësh një palë rroba që nuk i ka kush në botë!

-Po si jo! Kurrëfarë problemi nuk është – përgjigjet mjeshtri dhe ia merr masën.

Në afatin e caktuar ia qep rrobat por me xhepa në shpindë.

Kur vjen myshteriu i sheh rrobat dhe i quditur e pyet rrobaqepsin:

-Si mi ke qepur kështu rrobat!

-Rrobaqepësi i përgjigjigjet: Po kështu nuk i gjen askund në botë more burrë.

Kështu edhe i kërkove!

Si shkurtohen pantollanat?

Kur vinin myshterinjtë tek rrobaqepësi, për t`u ankuar se pantallonat që ua qepte po iu binin të gjatë, ai pa fije përtese u thoshte që të vinin pas pak kohe se çdo gjë do të jetë në rregull.

Dhe çfarë bënte mjeshtri. Ai përherë në dyqan e mbante kofën me ujë, në të cilën i fuste këmbëzat e pantalloneve në ujë dhe kështu shkurtoheshin, sepse shtofi ishte i dobët, dmth shtofi “hynte” në ujë dhe pastaj i hekuroste dhe ato dukeshin kinse i kishte shkurtuar.

Kur një ditë e pyeti një koleg i tij se përse vepronte ashtu, ai përgjigjet: Po përse qep e shkep?! Ja ku është kofa me ujë këtu, e cila i “shkurton” vet pantallonat!

………………………..

(Më gjerësisht rreth zejës së terzijve-rrobaqepëse libri “Zejtaria e Gjilanit”)