Një i moshuar humb jetën aksidentin e sotëm në Ramnishtë të Vitisë

Një burrë rreth 70-vjeç ka humbur jetën sot në një aksident mes dy veturave në fshatin Ramnishtë të Vitisë.

Ai ishte dërguar në spital bashkë me një të lënduar tjetër, por nuk ka arritur t’iumbijetojë lëndimeve të aksidentit.

Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Trafikut Rajonal, ndërsa sipas hetimeve të para, lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, të cilët janë banorë të Komunës së Vitisë. Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Gjilan për trajtim mjekësor. Personi i lënduar, rreth 70-vjeçar nga fshati Lubishtë i Komunës së Vitisë, përkundër përpjekjeve të mjekëve dhe trajtimit të ofruar në Spitalin e Gjilanit, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë”.

Hashani tha se lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që ndaj drejtuesit të automjetit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti të rëndë janë duke u zhvilluar nga hetuesit rajonalë të aksidenteve të trafikut të Policisë së Kosovës në Gjilan”, tha Hashani. (foto ilustrim)