Kosovari i merr jetën bashkëjetuesen shqiptare në Ulqin dhe i vë flakën shtëpisë

Një 46-vjeçar nga Kosova ka vrarë bashkëjetuesen shqiptare dhe i ka vënë flakën shtëpisë. Ngjarja ka ndodhur në Ulqin.

Viktima është identifikuar si Dila Ndoj, 36 vjeçe, me origjinë nga Balldreni i Lezhës, e cila dyshohet se është vrarë nga bashkëjetuesi i saj, Bashkim Gashi, 46 vjeç, nga Kosova, raporton A2CNN.

Sipas dyshimeve paraprake, pas krimit ai i ka vënë flakën banesës ku jetonin në lagjen Kodre të Ulqinit, me qëllim fshehjen e gjurmëve.

Autoritetet malazeze njoftuan se trupi i pajetë i 36-vjeçares u gjet brenda banesës së përfshirë nga flakët, ndërsa i dyshuari u arrestua pak më vonë, teksa kishte marrë lëndime nga zjarri.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë ende në vijim.

Ngjarja ka shkaktuar dhimbje dhe reagime të forta te familjarët, të afërmit dhe banorët e Balldrenit, vendlindjes së viktimës.

Sipas informacioneve paraprake, ceremonia mortore pritet të mbahet në Balldren të Lezhës, ku familja do të presë ngushëllimet për përcjelljen e saj të fundit. (A2 Televizion)